Mbi 20 garazhe, fillon lirimi dhe rrënimi i objekteve pa leje në pronë të “Trepçës” në veri të Mitrovicës

Mbi 20 garazhe, fillon lirimi dhe rrënimi i objekteve pa leje në pronë të “Trepçës” në veri të Mitrovicës

Aktuale April 22, 2026 - 09:13

Pas skadimit të afatit të dhënë dhe mosrespektimit të njoftimit të datës 13.02.2026, “Trepça” SHA ka njoftuar se ka filluar aksioni për lirimin e pronës, duke përfshirë rrënimin e të gjitha objekteve dhe garazheve të ndërtuara pa bazë ligjore në parcelën nr. 02537-1.

Sipas një njoftimi për media, bëhet e ditur se në bazë të verifikimeve në terren, kjo zonë përfshin mbi 20 garazhe dhe objekte të vendosura përgjatë rrugës, të cilat janë në pronësi të “Trepça” SHA. dhe janë uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.

"Ky veprim ndërmerret pas dhënies së afatit 48-orësh për lirimin vullnetar të hapësirës, si dhe pas paralajmërimit paraprak, me të cilin palëve u është ofruar mundësia për paraqitjen e marrëveshjeve eventuale për shqyrtim. Aksioni për lirimin e pronës po realizohet me mbështetje institucionale dhe do të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të pronës në menaxhim të ‘Trepçës’ SHA", thuhet në njoftim.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani një prononcim për Telegrafin ka thënë se kanë asistuar në lirimin dhe rrënimin e disa garazheve në veri.

Sipas tij, nuk kanë hasur në ndonjë problem gjatë asistimit.

“Kemi pranuar një kërkesë për asistencë nga ndërmarrja ‘Trepça’ për disa garazhe përball burgut. Kemi ofruar asistencën tonë dhe nuk kemi has në ndonjë problem”, ka thënë Elshani.