Ulutash: Veriu i qetë, por jo plotësisht stabil - kërkohet vigjilencë dhe dialog
Situata e sigurisë në Kosovë aktualisht vlerësohet si e qëndrueshme, ndonëse mbetet e brishtë, veçanërisht në pjesën veriore të vendit. Kështu ka bërë të ditur Misioni i KFOR-it, duke theksuar se nuk është përsëritur niveli i dhunës i shënuar gjatë vitit 2023, por vigjilenca mbetet e lartë.
Kështu ka vlerësuar komandanti i KFOR-it, Ozgan Ulutash, i cili për televizionin në gjuhën serbe TV Most theksoi se edhe pse situata në veri është e qetë, akoma nuk është plotësisht stabile, transmeton Zeri.info.
“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është gjithashtu aktualisht e qetë. Megjithatë, ajo nuk është plotësisht stabile. Nga këndvështrimi ynë, procesi i tranzicionit nga kryetarët në largim tek ata në ardhje është zhvilluar në mënyrë të qetë. KFOR vazhdon të luajë rolin e tij, duke ofruar një kornizë sigurie dhe hapësirë që dialogu politik të ecë përpara. Kjo është thelbësore për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që përfitojnë të gjitha komunitetet. Rruga drejt stabilitetit afatgjatë është politike. Stabiliteti në Kosovë dhe në rajon varet nga zgjedhja e diplomacisë mbi dhunën nga të gjitha palët”, tha Ulutashi.
Ai përsëriti se KFOR-i vazhdon të zbatojë plotësisht dhe në mënyrë të paanshme mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë komunitetin serb.
“Ky është gjithmonë fokusi ynë. Angazhimi ynë ndaj misionit është i palëkundur. Në përgjigje të dhunës së pajustifikuar në vitin 2023, ne kemi rritur numrin e aktiviteteve dhe patrullimeve në veri të Kosovës. Kemi një prani të rregullt atje dhe mbajmë kontakte me të gjithë partnerët tanë për të siguruar shkëmbim në kohë të informacionit dhe transparencë të ndërsjellë. Në përgjithësi, kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën”.
Ulutashi ka thënë gjithashtu se NATO-ja e mbështet dialogun mes Kosovë dhe Serbisë në Bruksel, duke e cilësuar si kornizën e vetme për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull, transmeton Zeri.info.
“NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e udhëhequr nga BE-ja si i vetmi kornizë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjithë njerëzve. Ndërsa KFOR ofron kontribute të rëndësishme ushtarake për të ruajtur një mjedis të sigurt, rruga drejt stabilitetit afatgjatë është në fund të fundit politike. Është thelbësore që si Beogradi ashtu edhe Prishtina të angazhohen me mirëbesim dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese. NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe KFOR-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij në mbështetje të këtij procesi të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, është kyçe që si Beogradi, ashtu edhe Prishtina të angazhohen plotësisht dhe në mënyrë konstruktive në këtë kornizë”, ka thënë Ulutashi. /Zëri