Në orët e fundit para skadimit të afatit kushtetues, Kurti e fton LDK-në edhe një herë të propozojë kandidat për president
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media pas tentimit të tretë gjatë ditës së sotme për zgjedhjen e presidentit, ka thënë se Hatixhe Hoxha është e gatshme të japë dorëheqje nga kandidatura vetëm nëse LDK sjell një kandidat për president.
“E tash, në këtë situatë, unë jam përballur shpesh me interesimet tuaja lidhur me atë listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 15 nënshkrime, e cila kishte datën e pardjeshme në mbrëmje, por nuk kishte emër sipër se për kë janë ato 15 nënshkrime.
Pasi përfundoi edhe ky vazhdim i një seance që nuk po përfundon dhe do të vazhdojë në orën 23:00, unë kam komunikuar menjëherë me kandidaten, profesoreshën Hatixhe Hoxha, dhe kam biseduar me të, me ç’rast ajo është dakorduar që të tërhiqet nga kandidatura nëse Lidhja Demokratike e Kosovës i sjell 15 nënshkrime për kandidatin e saj, kushdo qoftë.
Me atë rast, Lëvizja Vetëvendosje i plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca, meqenëse tash lirohen ato nënshkrime me tërheqjen e Hatixhe Hoxhës, dhe në këtë mënyrë do të kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Kurti.