Shpallet konkurs për rreth 20 pozita të larta, Bajrami akuzon LVV-në për “kapje të institucioneve”
Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për të shpallur rreth 20 pozita të larta udhëheqëse vetëm disa orë para shpërndarjes së Kuvendit.
Sipas saj, këto konkurse nuk janë procedura të zakonshme, por përfaqësojnë “përpjekjen e fundit për kapjen e institucioneve” nga Lëvizja Vetëvendosje, në prag të zgjedhjeve.
Bajrami ka theksuar se Ligji për Qeverinë është i qartë, duke iu referuar Nenit 31, i cili kufizon kompetencat e një qeverie në dorëheqje dhe ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike.
Ajo ka ngritur pikëpyetje mbi kredibilitetin e këtyre konkurseve, duke theksuar se një proces i nisur në prag të shpërndarjes së Kuvendit dhe i zhvilluar nga një qeveri në dorëheqje nuk mund të konsiderohet i besueshëm.
“Institucionet publike nuk janë pronë e asnjë partie politike dhe nuk duhet të shndërrohen në strehë për militantë,” ka deklaruar Bajrami, duke kërkuar që qeveria e re, pas zgjedhjeve, të ndalë këtë praktikë dhe të rishikojë procesin e emërimeve, transmeton Zeri.info.
Ajo ka publikuar edhe listën e pozitave të shpallura, të cilat përfshijnë sekretarë ministrish dhe drejtorë ekzekutivë në agjenci të ndryshme shtetërore, përfshirë sektorë kyç si mjedisi, shëndetësia, financat dhe siguria.
Sipas Bajramit, këto pozita duhet të plotësohen përmes një procesi të ri, transparent dhe të bazuar në meritë, me profesionistë të pavarur dhe me integritet.
Bajrami ka ndarë se cilat janë pozitat e shpallura:
Sekretar – Ministria e Mjedisit;
Sekretar – Ministria e Shëndetësisë;
Drejtor i përgjithshëm – Akademia e Kosovës për Siguri Publike, MPB;
Zëvendësdrejtor – Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave;
Zëvendësdrejtor – Agjencia e Regjistrimit Civil;
Zëvendësdrejtor – Agjencia e Arkivave;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Arkivave;
Drejtor Ekzekutiv – Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Zhvillimit të Rinisë;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia Antidoping;
Drejtor Ekzekutiv – KIESA;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Siguri Kibernetike;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia për Pronësi Industriale;
Kryeinspektor – Ministria e Tregtisë;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia Kosovare për Standardizim;
Drejtor i Thesarit – Ministria e Financave;
Drejtor Ekzekutiv -AQP;
Drejtor Ekzekutiv – Agjencia e Kosovës për Pajisje Medicinale;
Sekretar – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.