Mali i Zi do të vazhdojë angazhimin në misionin e NATO-s në Kosovë, paralajmëron modernizimin e ushtrisë
Mali i Zi do të vazhdojë të kontribuojë në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), si dhe në angazhimet e tjera të Aleancës në rajon dhe më gjerë, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes me rastin e shënimit të nëntëvjetorit të anëtarësimit të vendit në NATO.
Sipas njoftimit, Podgorica do të vazhdojë të dërgojë ushtarë në kuadër të misionit KFOR në Kosovë, ndërsa angazhimi do të vijojë edhe në grupet luftarake të NATO-s të vendosura në Letoni dhe Bullgari, si dhe në operacionet detare të Aleancës në Detin Mesdhe.
Nga Ministria e Mbrojtjes u theksua se Mali i Zi do të vazhdojë të dëshmojë me rezultate konkrete se NATO ka në këtë shtet një partner të besueshëm, aleat të përgjegjshëm dhe faktor të rëndësishëm stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“Kur Mali i Zi është një hap më afër realizimit të qëllimit të tij strategjik, anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj vlerave që ndajmë me aleatët”, thuhet në reagimin e ministrisë, duke iu referuar edhe Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur së fundmi në Tivat.
Ministria rikujtoi se më 5 qershor 2017, Mali i Zi u bë anëtari i 29-të i NATO-s, duke realizuar një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të shtetit.
“Me anëtarësimin në Aleancë, Mali i Zi zuri vendin e tij në sistemin e sigurisë kolektive, ku në mënyrë të barabartë me aleatët merr pjesë në vendimmarrje për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe rendit juridik ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet malazeze njoftuan gjithashtu se do të vazhdojnë modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe pajisjen e Ushtrisë së Malit të Zi sipas standardeve të NATO-s, duke investuar në trajnimin e personelit, zhvillimin institucional dhe forcimin e aftësive për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë. /Pobjeda