Bekim Haxhiu kërkon rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve të PDK-së
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të PDK-së.
Haxhiu ka bërë të ditur se kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në gjetjet e procesit të rinumërimit të realizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas tij, rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përfshijnë rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, ka dëshmuar se ka pasur gabime në numërimin fillestar.
“Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar gjashtë vota që nuk ishin numëruar më parë. Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka shkruar Haxhiu.
Ai ka theksuar se ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit, duke vlerësuar se vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve.
Haxhiu ka bërë thirrje që ankesa e tij të shqyrtohet në mënyrë të paanshme, duke shtuar se integriteti i procesit zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të votuesve.