Shtohen kontrollet ndaj mjeteve të rënda, mbi 13 mijë euro gjoba për mbingarkesa
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se janë shtuar kontrollet ndaj automjeteve të rënda, me synim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet e shkaktuara nga mbingarkesa.
Sipas tij, investimet dhe mirëmbajtja e rrugëve, të financuara nga taksat e qytetarëve, nuk do të lejohen të dëmtohen nga operatorë ekonomikë apo drejtues të papërgjegjshëm. Ai theksoi se gjatë sezonit veror, temperaturat e larta e rrisin rrezikun e dëmtimit të asfaltit, duke e bërë edhe më të domosdoshëm zbatimin e rregullave.
Vetëm më 1 korrik 2026, gjatë inspektimeve janë evidentuar 24 shkelje nga mjete që kishin tejkaluar peshën e lejuar. Për këto kundërvajtje janë shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 13.910 eurosh, ku 13.140 euro u janë vendosur operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro personave fizikë.
Basha ka theksuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të vazhdojë të zbatojë ligjin me rigorozitet, pa toleruar shkeljet që rrezikojnë sigurinë në trafik dhe dëmtojnë rrugët. Ai u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufijtë e lejuar të peshës, në mënyrë që të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës rrugore të ndërtuar me fondet publike.