Jashari takohet me ambasadorin britanik, diskutojnë për sigurinë dhe thellimin e bashkëpunimit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, së bashku me delegacionin britanik.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjenerallejtënant Jashari e informoi ambasadorin britanik për të arriturat e FSK-së, aktivitetet, operacionet dhe planet për zhvillimin e mëtejmë të forcës.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të saj.
Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Po ashtu, palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit profesional në fushën e arsimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të liderëve dhe njësive të ndryshme të FSK-së, me synim rritjen e profesionalizmit dhe kapaciteteve operacionale.
Në përfundim të takimit, ambasadori Hargreaves e falënderoi gjenerallejtënant Jasharin për lidershipin e treguar në udhëheqjen e proceseve të zhvillimit të FSK-së.
Palët u zotuan të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. /Zëri