Kurti parashikon të ardhmen e tij: Në vitin 2039 mund të bëhem ambasador në Paris
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë shënimit të Ditës Kombëtare të Francës bëri një batutë për të ardhmen e tij dhe të ambasadorit francez në Kosovë, Olivier Guérot.
Kurti tha se deri në vitin 2039 mund ta ketë mësuar shumë mirë gjuhën frënge, në mënyrë që të bëhet ambasador në Paris, ndërsa me humor shtoi se deri atëherë Guéroti mund të jetë ministër i Punëve të Jashtme i Francës.
“Dhjetë ditë më parë, festuam 250-vjetorin e Revolucionit Amerikan dhe pas trembëdhjetë vitesh do të festojmë po ashtu 250-vjetorin e Revolucionit Francez. Deri atëherë, në vitin 2039, unë mund ta kem mësuar shumë mirë gjuhën frënge, në mënyrë që të bëhem ambasador në Paris, ndërsa Franca mund të ketë ndërruar shumë kryeministra, kështu që Olivieri të bëhet ministër i Punëve të Jashtme”, tha Kurti.
Duke iu drejtuar ambasadorit, i cili pritet ta përfundojë së shpejti mandatin në Kosovë, Kurti e falënderoi për kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Kjo mbrëmje ka një rëndësi të veçantë, pasi shënon Ditën tuaj të fundit Kombëtare në Kosovë në cilësinë tuaj si Ambasador. Gjatë mandatit tuaj, ju e keni përfaqësuar vendin tuaj me dinjitet dhe jeni angazhuar me vendin tonë me çiltërsi dhe mirësjellje, duke i afruar edhe më shumë dy vendet tona”, u shpreh ai.
Ndryshe, ambasadori francez Olivier Guérot, gjatë fjalimit të tij në ceremoni, u bëri thirrje forcave politike në Kosovë që të gjejnë kompromis për t'i dhënë fund ngërçit politik dhe për të mundësuar funksionimin e institucioneve. /Zëri