Mali i Zi: Vendimet e komunave për “çnjohjen” e Kosovës s’kanë asnjë efekt juridik, vetëm na prishin imazhin
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka deklaruar se vendimet e disa komunave për “çnjohjen” e pavarësisë së Kosovës nuk kanë asnjë efekt juridik dhe nuk mund të ndikojnë në politikën e jashtme të shtetit.
Në një përgjigje me shkrim për gazetën Express, ministria e drejtuar nga Ervin Ibrahimoviq thekson se njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë kompetenca kushtetuese apo ligjore në fushën e politikës së jashtme.
“Sa u përket vendimeve të miratuara nga disa kuvende komunale lidhur me njohjen e Republikës së Kosovës, dëshirojmë të theksojmë se njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë as kompetencë kushtetuese dhe as ligjore në fushën e politikës së jashtme, e po ashtu nuk janë të autorizuara të miratojnë akte që prodhojnë çfarëdo efekti sipas së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
Sipas ministrisë, njohja e shteteve dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike janë kompetencë ekskluzive e institucioneve shtetërore të Malit të Zi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
MPJ-ja u ka bërë thirrje bartësve të funksioneve publike që të respektojnë rendin kushtetues dhe të shmangin veprimet që mund të dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Malit të Zi ose të krijojnë tensione politike.
“Ministria e Punëve të Jashtme pret që të gjithë bartësit e funksioneve publike ta respektojnë rendin kushtetues, kompetencat e institucioneve shtetërore dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Malit të Zi, si dhe të sigurojnë që veprimet e tyre të kontribuojnë në ruajtjen e reputacionit të vendit dhe avancimin e rrugës së tij evropiane, e jo në krijimin e tensioneve të panevojshme politike dhe konfuzionit institucional”, thuhet në reagim.
Sipas MPJ-së, vendimet e disa kuvendeve komunale janë akte politike pa efekt juridik dhe nuk mund të ndryshojnë pozitën ndërkombëtare të Malit të Zi apo detyrimet e tij ndërkombëtare.
“Vendime të tilla përbëjnë akte politike pa efekt juridik dhe mund të kontribuojnë vetëm në krijimin e një perceptimi të gabuar për funksionimin e institucioneve shtetërore dhe besueshmërinë e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare”, thekson ministria.
Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, MPJ-ja vlerëson se dy shtetet kanë ndërtuar raporte shumë të mira ndër vite, të bazuara në besim të ndërsjellë, fqinjësi të mirë dhe perspektivë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike.
“Mali i Zi do të vazhdojë ta mbështesë pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare e rajonale”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Nisma për “çnjohjen” e pavarësisë së Kosovës u iniciua në maj të vitit 2026 nga Komuna e Zetës dhe më pas u pasua edhe nga Komuna e Plevljes. /Zëri