Lista Serbe i drejtohet Kushtetueses, kundërshton mandatin e Nenad Rashiqit
Foto: Laura Hasani

Lista Serbe i drejtohet Kushtetueses, kundërshton mandatin e Nenad Rashiqit

Aktuale August 04, 2026 - 12:16

Lista Serbe ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila hodhi poshtë kërkesën e saj lidhur me ndarjen e një mandati të rezervuar për komunitetin serb, që iu takua Nenad Rashiqit.

Në reagimin e saj, Lista Serbe thekson se ankesa nuk është dorëzuar për të mbrojtur një subjekt politik apo një mandat të vetëm, por për të mbrojtur, sipas saj, të drejtën kushtetuese të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë për përfaqësim autentik politik.

Sipas Listës Serbe, institucionet zgjedhore dhe gjyqësore nuk i janë përgjigjur çështjes kryesore kushtetuese, nëse qëllimi i mandateve të rezervuara ruhet kur për zgjedhjen e përfaqësuesve të komunitetit serb vendosin votues që nuk i përkasin këtij komuniteti.

“Nëse pranohet që përfaqësuesit politikë të një komuniteti mund të zgjidhen në mënyrë vendimtare nga pjesëtarë të komuniteteve të tjera, atëherë vihet në pikëpyetje vetë qëllimi i mandateve të rezervuara, jo vetëm për komunitetin serb, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera joshumicë”, thuhet në reagim.

Lista Serbe i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të japë një interpretim të qartë mbi përmbajtjen e kësaj garancie kushtetuese dhe të vlerësojë nëse mënyra aktuale e zbatimit të legjislacionit zgjedhor garanton qëllimin e mandateve të rezervuara.

Më 7 korrik, Gjykata Supreme hodhi poshtë si të pabazuara pesë ankesa kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përfshirë edhe ankesën e Listës Serbe.

Lista Serbe pretendon se subjekti politik "Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë" e fitoi mandatin e rezervuar për komunitetin serb kryesisht falë votave nga vendvotimet në komunat me shumicë shqiptare. /Zëri