IKD-ja vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal

IKD-ja vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal

Aktuale August 04, 2026 - 13:18

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vazhduar edhe të martën aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktiviteti po zhvillohet në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku qytetarë të shumtë janë ndalur për t'u informuar rreth përmbajtjes së nismës dhe për ta mbështetur atë me nënshkrimin e tyre.

Sipas IKD-së, interesimi i qytetarëve ka qenë i vazhdueshëm gjatë paradites, ndërsa shumë prej tyre kanë shprehur mbështetje për propozimet që synojnë forcimin e sundimit të ligjit.

Nisma parasheh që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale, si dhe të ndalohet përdorimi i parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojë deri në orën 15:00, ndërsa IKD-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë nënshkruar ta vizitojnë stendën informuese, të njihen me përmbajtjen e nismës dhe ta mbështesin atë.

Sipas IKD-së, çdo nënshkrim përbën një kontribut për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e përgjegjshmërisë institucionale në Kosovë. /Zëri