Bordi i SHSKUK-së nuk hap mbledhjet për media, thirret në opinionin ligjor të MDAP-së
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se mbledhjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, duke u bazuar në një opinion ligjor të pranuar nga Departamenti Ligjor në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike (MDAP).
Sipas SHSKUK-së, opinioni ligjor është dhënë pas kërkesës së këtij institucioni për sqarim juridik lidhur me mënyrën e zhvillimit të mbledhjeve të Bordit Drejtues dhe pjesëmarrjen e personave të tretë në procedurat administrative.
Në këtë opinion, Departamenti Ligjor i MDAP-së është bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, përfshirë rregullat që lidhen me funksionimin e organeve kolegjiale, transparencën dhe pjesëmarrjen e palëve me interes publik apo kolektiv.
Konkluzioni i opinionit është se mbledhjet e Bordit të SHSKUK-së zhvillohen me dyer të mbyllura, përveç rasteve kur me Ligjin në fuqi për Shëndetësi parashihet ndryshe. Bordi Drejtues i SHSKUK-së respekton këtë opinion ligjor dhe njëkohësisht mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të transparencës dhe llogaridhënies. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, publiku dhe mediat do të informohen rregullisht për vendimet dhe aktivitetet e Bordit përmes komunikatave zyrtare, ndërsa qasja në dokumente publike garantohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj. Njëkohësisht, me qëllim të forcimit të transparencës, dialogut dhe bashkëpunimit institucional, Bordi Drejtues i SHSKUK-së, në mbledhjet e tij, do të ftojë përfaqësuesit e Odave të Profesionistëve Shëndetësorë, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Fakultetit të Mjekësisë, si dhe Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Opinionin Ligjor në fjalë”, thuhet në një njoftim të SHSKUK-së.
Sipas SHSKUK-së, pjesëmarrja e këtyre përfaqësuesve do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe opinionin ligjor të pranuar nga MDAP-ja.