Begaj i kërkon Ekuadorit njohjen e Kosovës gjatë pritjes së ambasadorit të ri
Aktuale
August 04, 2026 - 20:12
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Ekuadorit, Esteban Assar Moscoso Bohman, në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të kredencialeve.
Begaj i uroi ambasadorit suksese në misionin e tij diplomatik, duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Ekuadorin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, presidenti shqiptar vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Ai po ashtu i kërkoi Ekuadorit të shqyrtojë njohjen e Republikës së Kosovës, duke theksuar se një vendim i tillë do të ishte kontribut për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.