Asamblisti i AAK-së në Prishtinë, Endrit Gashi jep dorëheqje nga partia

Asamblisti i AAK-së në Prishtinë, Endrit Gashi jep dorëheqje nga partia

Aktuale August 04, 2026 - 20:31

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe nënkryetari i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në kryeqytet, Endrit Gashi, ka njoftuar dorëheqjen nga kjo parti.

Largimi i tij vjen pas publikimeve në media ku është pretenduar se po përgatitet emërimi i babait të tij në pozitën e kryeshefit të Ndërmarrjes Lokale Publike “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë.

Gashi ka thënë se vendimi për t’u larguar nga AAK-ja është marrë pas zhvillimeve që, sipas tij, kanë zgjatur për një periudhë të gjatë dhe janë shoqëruar me sulme personale.

“Kam marrë vendimin që të jap dorëheqje nga Aleanca. Ky vendim vjen si rezultat i zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë një periudhe të gjatë, të shoqëruara me sulme të orkestruara dhe, së fundmi, me publikime të porositura nga individë brenda partisë, me qëllim të denigrimit të figurës sime dhe të familjes sime”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Ai ka deklaruar se gjatë angazhimit të tij politik ka vepruar, siç ka thënë, me përkushtim dhe integritet, duke respektuar ligjin dhe interesin publik.

“Kur sulmet personale zëvendësojnë debatin politik dhe kur tolerohen praktika që cenojnë dinjitetin njerëzor, vazhdimi i angazhimit tim nuk është më i mundur”, ka thënë ai.

Pavarësisht dorëheqjes nga AAK-ja, Gashi ka bërë të ditur se do ta vazhdojë punën në Kuvendin Komunal të Prishtinës, tashmë si asambleist i pavarur.

Deri në publikimin e këtij raportimi, AAK-ja nuk ka bërë ndonjë reagim publik lidhur me dorëheqjen e Gashit apo pretendimet e tij.