PDK-ja bllokon edhe sot hyrjen e Qeverisë, i bashkohen edhe të rinjtë e saj
Aktuale
August 18, 2026 - 07:56
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe të martën aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në ndërtesë në shenjë proteste ndaj mosthirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Këtij aksioni i është bashkuar edhe Rinia Demokratike e Kosovës (RDK).
Deputetët e PDK-së po kërkojnë që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e seancës dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit.
Aksioni vjen pas disa ditësh përpjekjesh të kësaj partie për të ushtruar presion për vazhdimin e seancës.
PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimisht që seanca e ndërprerë të vazhdojë, ndërsa PDK-ja ka dorëzuar disa kërkesa zyrtare drejtuar Deharit për caktimin e vazhdimit të saj.



