Kurti vizitoi IML-në, informohet rreth mbetjeve mortore në Jabukë

Kurti vizitoi IML-në, informohet rreth mbetjeve mortore në Jabukë

Aktuale August 27, 2026 - 18:21

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, vizitoi Institutin për Mjekësi Ligjore (IML).

Pas përfundimit të procesit të gërmimeve, të cilat kishin nisur saktësisht një muaj më parë, në IML janë bartur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, të gjetura në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut.

“Jemi informuar që prej mbetjeve mortore në Jabukë është marrë edhe ADN-ja, për t’u bërë identifikimi. Procesi ka hyrë në një fazë të re dhe ky është rezultat i institucioneve tona në përgjithësi, prej Policisë, AKI-së, Ministrisë së Drejtësisë, IML-së në veçanti, por edhe ekspertëve mjekoligjorë pra, të forenzikës të cilët i kemi parë vet duke u angazhuar në Kalludër të Zubin Potokut”, tha kryeministri.

Që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2700 gërmime, e vetëm këtë vit nga 17 sosh janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore. Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë, përveçse i jep fund pritjes së familjeve, me ankth e vuajtje, i hapë rrugë kërkimit të drejtësisë.

Së fundi, investimi i mbi 814 mijë euro, ka mundësuar modernizimin e infrastrukturës së IML-së, rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit dhe krijimin e kushteve më të mira per ofrimin e shërbimeve mjeko ligjore.

Janë rehabilituar dhe modernizuar salla e Autopsisë, Laboratorët e Toksikologjisë, Histopatologjisë dhe Antropologjisë, është krijuar një arkiv modern dhe hapësirë e përshtatshme për ruajtjen e dëshmive si dhe janë bërë investime në hapësirat për ekzaminime klinike mjeko ligjore.

“Bashkë me zëvendëskryeministren dhe me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ne jemi të interesuar që ta rrisim performancën e IML-së, edhe IML-ja çdo vit të ngritët për nga cilësia dhe rezultatet e punës dhe të marrim edhe vlerësimet më të larta ndërkombëtare”, shtoi ai.