Kosova me sy nga Haga, 48 orë nga vendimi për çlirimtarët
Foto: Laura Hasani

Kosova me sy nga Haga, 48 orë nga vendimi për çlirimtarët

Aktuale September 14, 2026 - 14:38

48 orë deri te vendimi i madh ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Dy ditë kanë mbetur deri te 16 shtatori, kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Kosova po pret vetëm një verdikt, lirimin e tyre.

Të shtunën u mbajt Marshi i lirisë në Prishtinë, ku morën pjesë mijëra persona në mbështetje të krerëve të UÇK-së, që po mbahen në Hagë.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve se vendi po “blindohet” në prag të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë më 16 shtator.

Policia ka thënë se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur priten aktivitete apo grumbullime të mëdha të qytetarëve janë pjesë e procedurave të rregullta policore.

Sipas Policisë, këto masa kanë për qëllim menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e trafikut dhe garantimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve.

Policia ka theksuar se gjatë planifikimeve merret parasysh edhe mundësia që individë apo elemente të caktuara, përfshirë persona nga jashtë vendit, të tentojnë të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime apo incidente.

“Masat parandaluese dhe standarde aplikohen varësisht nga numri i pritshëm i pjesëmarrësve dhe vlerësimi i përgjithshëm i situatës”, thuhet në njoftim.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, të cilat mund të shkaktojnë shqetësim të panevojshëm në opinion.

Të dielën, Albin Kurti, para se të zgjidhej kryeministër foli për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ç’rast tha se të gjithë janë në ankth në pritje të vendimit të procesit gjyqësor.

“Këto ditë të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”.

“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i njëjtë dhe i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq sot, e hënë, dy ditë para vendimit të Gjykatës në Hagë, në mbledhjen e parë të Qeverisë, Kurti ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte çlirimtare dhe kundër një pushtuesi që kreu krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Për ne është gjithçka e qartë. Populli i Kosovës dhe rezistenca, si dhe lufta jonë, kanë qenë qartazi çlirimtare dhe kundër një pushtuesi, i cili kreu krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Besojmë dhe urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre dhe pranë familjeve”, ka deklaruar Kurti.

Në anën tjetër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, ka reaguar lidhur me paralajmërimet për demonstrata më 16 shtator, në ditën kur do të shpallet aktgjykimi në Hagë ndaj katërshes së UÇK-së.

Sipas njoftimit, Ambasada Amerikane kërkon që të shmangen zonat ku është paralajmëruar të zhvillohen demonstrata dhe kërkon që të ketë kujdes nëse dikush gjendet pranë grumbullimeve të mëdha.

“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe pengesa të rënda në trafik. Këshillohet të kufizoni lëvizjet në zonën përreth vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimin drejt vendit të punës apo shkollës nëse rruga juaj kalon përmes zonave të prekura, pasi mund të mos arrini ta përfundoni udhëtimin në kohë”, thuhet në njoftim.