Baraliu për ankesën e PDK-së: Gjykata duhet të vendosë shpejt, çështja është urgjente
Foto: Laura Hasani

Baraliu për ankesën e PDK-së: Gjykata duhet të vendosë shpejt, çështja është urgjente

Aktuale September 14, 2026 - 13:47

Gjatë ditës së sotme Partia Demokratike e Kosovës, e përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu, kanë deponuar lëndë në Gjykatën Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

E pas dorëzimit të ankesës, në një konferencë për media, Arian Tahiri tha se PDK-ja iu drejtua Kushtetueses për të kërkuar masë për t’i parandaluar dëmet institucionale.

Lidhur me këtë, profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, thotë se Gjykata mund të vendosë një masë të përkohshme për këtë çështje.

“Gjykata mund ta caktojë një masë të përkohshme, e vendos më shpejtë ose do të duhet ta vendosë më shpejtë, por nuk mendoj që ka nevojë për masë të përkohshme sepse është çështje që është gjykuar”, ka thënë fillimisht Baraliu.

Më tutje ai është shprehur se Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për të marrë një vendim.

“Gjykata nuk ka afat të caktuar për të marrë një vendim, sipas rregullores për çështje të caktuara janë 60 ditë por ka raste kur çështja është trajtuar me muaj dhe vite, deri sa nuk ka ndonjë vendim nga Gjykata Kuvendi mund të zhvillojë seance sepse nuk ka ndonjë masë të përkohshme”, thotë Baraliu në një prononcim për Indeksonline.

Baraliu thotë se në rast të shkeljeve Gjykata nuk përcakton që vendi mund të shkojë në zgjedhje automatikisht, sipas tij ajo vendos në mënyrë njëinstanciale.

Sipas Baraliut kryesorja është se Gjykata duhet të vendosë shpejtë sepse çështja është shumë urgjente dhe nuk do të duhet ti pengojë organet në veprimin e tyre vetëm në rast se konsideron që ka shkelje të Kushtetutës.