Hoxha merr pjesë në Konventën e Shefave të Policive në EUROPOL

Hoxha merr pjesë në Konventën e Shefave të Policive në EUROPOL

Aktuale September 30, 2026 - 16:37

Një delegacion i lartë i Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Hetimeve, drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe zyrtari ndërlidhës i Kosovës në EUROPOL, morën pjesë në Konventën Vjetore të Shefave të Policive, e cila u mbajt në selinë e EUROPOL-it në Hagë.

Konventa e organizuar nga EUROPOL-i dhe Presidenca Irlandeze e Bashkimit Evropian, ka mbledhur përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare dhe partnere, për të diskutuar sfidat e reja të sigurisë dhe mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër formave të krimit të organizuar.

Në qendër të diskutimeve ishin temat që lidhen kryesisht me fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin efikas të krimit të organizuar, trafikimin e narkotikëve, krimet kibernetike, pastrimin e parave, keqpërdorimin e shërbimeve financiare digjitale, si dhe format e reja të krimit financiar.

Gjatë punimeve të Konventës, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të lartë të policive partnere dhe institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare.

Takimet bilaterale u mbajtën me delegacionin e policisë holandeze, greke, hungareze, izraelite dhe me organizatën e CEPOL-it. Në këto takime u diskutuan çështje që lidhen me sigurinë dhe bashkëpunimin bilateral policor, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira që synojnë forcimin e profesionalizmit dhe kapaciteteve të organizatave policore.

"Delegacioni i Policisë së Kosovës vizitoi edhe ambasadën e Kosovës në Holandë, ku u pritën nga ambasadori Dren Doli, me të cilin diskutuan tema që ndërlidhen me fushën e institucioneve të sigurisë dhe avancimit të bashkëpunimit të policisë me institucione ndërkombëtare. Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë konventë është një dëshmi e qartë e angazhimit të saj për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet për të përballuar sfidat e sigurisë që po evoluojnë në nivel global", njofton Policia e Kosovës.