Vaksinat kundër gripit sezonal pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor
Foto: Laura Hasani

Vaksinat kundër gripit sezonal pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor

Aktuale September 30, 2026 - 16:49

Vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Sipas IKShPK-së, furnizimi me vaksina këtë vit është vonuar për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara për vaksinën e gripit për hemisferën veriore.

Këto ndryshime kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit të vaksinave në nivel global, duke shkaktuar vonesa edhe në vendet e rajonit, përfshirë Kosovën.

IKShPK ka bërë të ditur se vaksinat pritet të arrijnë 21 ditë më vonë nga afati i planifikuar.

Instituti ka njoftuar se po e përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do t’i informojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal.

Ndërkaq, qytetarët do të njoftohen me kohë për vendet dhe oraret ku do të mund të vaksinohen, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore.