Veteranët e UÇK-së paralajmërojnë protestë të hënën para Kuvendit të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Veteranët e UÇK-së paralajmërojnë protestë të hënën para Kuvendit të Kosovës

Aktuale October 03, 2026 - 20:54

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve të saj, nëse deri të dielën nuk arrihet një marrëveshje politike dhe procedurale për votimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një komunikate publike, organizata ka bërë të ditur se të hënën nga ora 12:00, do të organizojë tubim para Kuvendit të Kosovës, duke u bërë thirrje veteranëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës.

“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund”, thuhet në komunikatën e organizatës.

Sipas veteranëve, afati për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të dy leximeve të ndryshimeve ligjore është deri të dielën.

Organizata shprehet se, në mungesë të një dakordimi deri në këtë afat, nga e hëna do të ndërmarrë veprime të tjera.

“Veteranët e UÇK-së i ftojnë të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit”, thuhet më tej në komunikatë.

Në reagimin e saj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për “kalkulime politike” lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale.

“Ky pushtet, në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta adresojë qartë këtë çështje, po vazhdon të shtyjë, të kalkulojë dhe të abuzojë politikisht me një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe njerëz që bartin plagët e luftës”, thuhet në komunikatë.