Shiroka-Pula nis detyrën me homazhe në Prekaz, te varret e Rugovës dhe Demaçit

Shiroka-Pula nis detyrën me homazhe në Prekaz, te varret e Rugovës dhe Demaçit

Aktuale October 08, 2026 - 11:43

Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka nisur detyrën me homazhe në Prekaz, te kompleksi memorial “Adem Jashari”, si dhe te varret e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, Shiroka-Pula nderoi familjen Jashari dhe komandantin legjendar Adem Jashari, duke e cilësuar Prekazin si simbol të qëndresës dhe sakrificës për atdheun.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha ajo, transmeton Zeri.info.

Te varri i Ibrahim Rugovës, presidentja vlerësoi vizionin dhe urtësinë e tij në udhëheqjen e Kosovës gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së saj.

Image

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, u shpreh Shiroka-Pula.

Ndërsa te varri i Adem Demaçit, ajo nderoi veprën e tij në shërbim të lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

Image

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, tha presidentja.

Shiroka-Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave përbën edhe një rikujtim të themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës – sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave./Zëri