Nesër seancë gjyqësore për rastin e Ibër-Lepencit
Foto: Laura Hasani

Nesër seancë gjyqësore për rastin e Ibër-Lepencit

Aktuale October 18, 2026 - 23:36

Të hënën, në orën 13:15, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, do të mbahet seanca gjyqësore lidhur me rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit i cili ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje, ndërsa Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq përballen edhe me akuzat për rrezikimin e rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjen e veprës terroriste dhe spiunazh.

Aktakuza ndaj tre të pandehurve është ngritur më 9 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale. Sipas saj, të akuzuarit lidhen me sulmin që shkaktoi dëme të konsiderueshme në kanalin “Ibër-Lepenc”, një prej objekteve të rëndësishme të infrastrukturës ujore dhe energjetike të Kosovës.