Inspektorati i Mjedisit ndalon punimet e një kompanie, shqipton tri gjoba
Inspektorati i Mjedisit ka vazhduar kontrollet në terren për mbrojtjen e mjedisit dhe ujërave, duke ndaluar punimet e një kompanie dhe duke shqiptuar tri gjoba administrative për shkelje të konstatuara.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave një kompanie i janë ndaluar punimet për separimin e inerteve për shkak të mungesës së lejes ujore.
“Tri gjoba administrative janë shqiptuar për shkelje të konstatuara lidhur me menaxhimin e ujërave dhe aktivitetet e operatorëve”, ka njoftuar Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se janë inspektuar edhe gurthyesit, nga të cilët janë kërkuar raportet e analizave të pluhurit për vitin 2026.
“U evidentuan mangësi në menaxhimin e ujit në hapësirën e magazinimit të mbetjeve radioaktive në Termocentralin Kosova A, duke caktuar afat për sanimin e tyre”, ka deklaruar ministrja.
Sipas saj, janë zhvilluar edhe inspektime për ndërhyrjet në rrjedhat ujore në disa komuna.
“Inspektorati do të vazhdojë kontrollet dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo shkeljeje të konstatuar”, ka theksuar Pacolli.