Haxhiu: SHKK-ja kontribuon në forcimin e sundimit të ligjit, rëndësi ka edhe rehabilitimi i të burgosurve
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: SHKK-ja kontribuon në forcimin e sundimit të ligjit, rëndësi ka edhe rehabilitimi i të burgosurve

Aktuale November 23, 2026 - 11:02

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë, zbatimin e ligjit dhe forcimin e sundimit të ligjit, por njësoj i rëndësishëm është edhe rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të privuar nga liria, ka thënë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Haxhiu ka vlerësuar se funksionimi i Shërbimit Korrektues mbështetet në punën dhe përkushtimin e zyrtarëve që shërbejnë në këtë institucion.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është vetëm një institucion që administron vuajtjen e dënimit; ai është një institucion që garanton sigurinë, mbron rendin, zbaton ligjin dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Por mbi të gjitha, ky institucion qëndron dhe funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë atij me përgjegjësi, me profesionalizëm dhe me përkushtim”, tha Haxhiu.

Ajo ka theksuar se suksesi i një sistemi korrektues nuk duhet të matet vetëm me administrimin e dënimeve, por edhe me mundësitë që u ofrohen të burgosurve për ndryshim dhe rikthim në shoqëri.

“Një përgjegjësi po aq e rëndësishme është kontributi në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria, sepse sot një sistem Korrektues i suksesshëm nuk matet vetëm me aftësinë për të administruar dënimin, por edhe me mundësinë që u jep njerëzve të ndryshojnë, të përgatiten për një jetë të re dhe të rikthehen si qytetarë të përgjegjshëm në shoqërinë tonë”, tha ajo. /eo