SHBA-ja dhe Izraeli nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e ambasadës së re në Jerusalem, palestinezët kundërshtojnë
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një kompleksi të ri dhe të përhershëm të Ambasadës Amerikane në Jerusalem. Marrëveshja u firmos nga ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, duke çuar përpara planet për ndërtimin e kompleksit diplomatik në zonën e njohur si Allenby Complex, në jug të Jerusalemit.
Megjithatë, projekti ka hasur në kundërshtimin e disa familjeve palestineze, të cilat pretendojnë se toka ku planifikohet ndërtimi u është marrë padrejtësisht dekada më parë. Ato kanë paraqitur dokumente që, sipas tyre, dëshmojnë pronësinë mbi parcelat dhe prej vitesh i kanë kërkuar qeverisë amerikane të rishqyrtojë vendndodhjen e ambasadës.
Historiani palestinezo-amerikan Rashid Khalidi, familja e të cilit është mes atyre që pretendojnë pronësinë e tokës, deklaroi se kompleksi Allenby nuk i përket Izraelit dhe se autoritetet izraelite nuk kanë të drejtë t’ia ofrojnë atë Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e ambasadës. Ai e cilësoi projektin si një shkelje të të drejtave të pronës private dhe të pronave vakëf, të cilat sipas ligjit islam janë të destinuara për qëllime fetare.
Ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem në maj të vitit 2018, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, pasi administrata e tij njohu zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Ky vendim u kundërshtua gjerësisht në arenën ndërkombëtare, pasi bie ndesh me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u kërkon vendeve të mos vendosin misione diplomatike në Jerusalem.
Izraeli e konsideron Jerusalemin kryeqytetin e tij që prej vitit 1949, megjithëse shumica e vendeve nuk e njohin zyrtarisht këtë status. Deri më tani, vetëm disa shtete kanë ndjekur shembullin e SHBA-së duke hapur ambasadat e tyre në Jerusalem.
Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar e përshëndeti marrëveshjen si një tjetër dëshmi të aleancës së ngushtë mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, duke vlerësuar vendimin e Donald Trump për zhvendosjen e ambasadës si “historik”. Sipas tij, marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me ndarjen e një trualli, por përfaqëson njohjen e historisë dhe vizionit të përbashkët të dy vendeve.
Edhe ambasadori Mike Huckabee theksoi rëndësinë simbolike të marrëveshjes, duke deklaruar se zhvendosja e ambasadës ishte në përputhje me ligjin amerikan dhe me njohjen e lidhjes historike të popullit hebre me Jerusalemin.
Ndërkohë, familje të njohura palestineze, mes tyre Habib, Qleibo, Khalidi, Razzaq dhe El-Khalili, i kishin kërkuar administratës së ish-presidentit Joe Biden që të mos vazhdonte me projektin. Si pjesë e kërkesës së tyre, ato paraqitën dokumente të periudhës së Mandatit Britanik, përfshirë kontrata qiraje që dëshmonin se autoritetet britanike paguanin qira vjetore për përdorimin e tokës ku ndodheshin kazermat ushtarake Allenby.
Pas vitit 1950, kjo tokë, ashtu si shumë prona të tjera të palestinezëve që u larguan nga Jerusalemi Perëndimor gjatë luftës së vitit 1948, kaloi nën administrimin e shtetit izraelit në bazë të Ligjit për Pronat e Munguesve, një ligj që vazhdon të jetë objekt debatesh dhe kundërshtimesh nga pala palestineze. /abcnews