Sërish alarm i kuq për 27 qytete të Italisë, shkak temperaturat e larta
Autoritetet shëndetësore kanë shpallur alarmin e kuq në të 27 qytetet kryesore të vendit, pasi temperaturat kanë kaluar 35 gradë Celsius, ndërsa në disa zona pritet të arrijnë mbi 40 gradë.
Alarmi i kuq shpallet kur temperaturat e larta shoqërohen me lagështi të madhe, duke krijuar rrezik serioz për shëndetin.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto kushte mund të prekin jo vetëm të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, por edhe njerëzit e shëndetshëm dhe ata që kryejnë aktivitet fizik.
Masat përfshijnë të gjithë territorin italian, nga Bolzano në veri deri në Palermo në Sicili.
Meteorologët parashikojnë që në qytete si Roma dhe Firence temperaturat maksimale të kalojnë 40 gradë Celsius.
Vapa dhe mungesa e reshjeve po shkaktojnë edhe probleme mjedisore.
Nivelet e ujit në lumin Po, më i gjati në Itali, janë dukshëm më të ulëta se mesatarja për këtë periudhë të vitit.
Ndërkohë, liqeni Maggiore po i afrohet një niveli historikisht të ulët, ndërsa temperatura e ujit në pjesën veriore të detit Adriatik ka kaluar 30 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit do të vazhdojë deri në mesin e muajit gusht.
Megjithatë, në veri të Italisë pritet një rënie e lehtë e temperaturave nga dita e premte, çka mund të sjellë heqjen e Bolzanos nga lista e qyteteve në alarm të kuq.
Në rajonin e Tirolit të Jugut parashikohen gjithashtu stuhi të izoluara të shkaktuara nga nxehtësia.
Vala e të nxehtit ka shtuar shqetësimet edhe për rrezikun e zjarreve në pyje dhe dëmtimin e bujqësisë.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Sektori i turizmit po përballet gjithashtu me sfida, pasi temperaturat e larta po ndryshojnë ritmin e aktiviteteve në qytetet më të vizituara.
Shumë turistë po zgjedhin të vizitojnë monumentet historike në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, ndërsa gjatë mesditës preferojnë plazhet ose ambiente të mbyllura me ajër të kondicionuar.
Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Ata theksojnë se qytetet duhet të investojnë më shumë në gjelbërimin urban, menaxhimin e burimeve ujore dhe masa të tjera për t’u përshtatur me temperaturat ekstreme që pritet të jenë gjithnjë e më të zakonshme në vitet e ardhshme. /atsh