Bordi i Paqes lidh kontratën e parë për rindërtimin e Gazës

Bordi i Paqes lidh kontratën e parë për rindërtimin e Gazës

Bota August 06, 2026 - 15:33

Bordi i Paqes, me në krye Donald Trumpin, i krijuar për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës, ka lidhur kontratën e parë të ndërtimit në territorin e shkatërruar.

Projekti ka të bëjë me ndërtimin e një posti ushtarak për të strehuar trupat marokene, raportoi The Guardian. Tutje thuhet se kontrata, e cila ende nuk është finalizuar, iu dha Arkel International, një firme me seli në Luiziana, që më parë ka kryer punë me qeverinë amerikane në vende të tilla si Iraku.

Bordi i Paqes kryesohet nga presidenti i SHBA-së dhe udhëhiqet nga një ekip që përfshin Jared Kushner dhe Steve Witkoff.

Në një email, një zyrtar i Bordit të Paqes tha se bordi dhe një grup teknokratësh palestinezë, të caktuar për të mbikëqyrur Gazën, "janë në fazat e fundit të përgatitjes së disa kontratave. Asnjë nuk është finalizuar". Grupi palestinez njihet si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.

Zyrtari tha se “një kontratë e mundshme ka të bëjë me objektet për të mbështetur Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila do të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjeve të sigurisë dhe qeverisjes së planit të veprimit”.

Gjithashtu, shtuan se “kjo kontratë do të jetë një nga shumë të tjerat që janë thelbësore për të ardhmen e Gazës”.

Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi Trumpi njoftoi se Hamasi kishte rënë dakord të çarmatosej, megjithëse ka pyetje të konsiderueshme se si grupi do të hiqte dorë nga armët e tij.