Zvicra ashpërson rregullat për zonat me shpejtësi 30 km/h në rrugët kryesore
Ndryshimi në rregulloren federale të sinjalizimit do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026.
Qytetet dhe komunat në Zvicër do ta kenë më të vështirë në të ardhmen të vendosin kufizimin e shpejtësisë në 30 km/h në akset kryesore të trafikut. Këshilli Federal ka vendosur që një masë e tillë të kërkojë paraprakisht një vlerësim profesional.
Ndryshimi në rregulloren federale të sinjalizimit do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026.
Sipas rregullave të reja, qytetet dhe komunat duhet të dëshmojnë përmes një ekspertize se vendosja e kufizimit prej 30 km/h në një rrugë kryesore nuk do ta zhvendosë trafikun drejt lagjeve të banimit, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, Këshilli Federal nuk ka vendosur një ndalim të përgjithshëm të kufizimit prej 30 km/h në rrugët kryesore. Ky kufizim mund të vazhdojë të aplikohet, ndër të tjera, për të përmirësuar cilësinë e jetës, për arsye të sigurisë ose për mbrojtjen nga ndikimet mjedisore.
Ndryshe nga akset kryesore, rregullat për rrugët brenda lagjeve të banimit mbeten të pandryshuara. Në këto zona, vendosja e kufizimit prej 30 km/h është lehtësuar që nga fillimi i vitit 2023 dhe nuk kërkon ekspertizë paraprake.
Një tjetër ndryshim ka të bëjë me përparësinë në kryqëzime. Në rrugët kryesore të orientuara për trafik ku zbatohet kufizimi 30 km/h, në parim nuk do të vlejë përparësia nga e djathta, me qëllim që të ruhet qarkullimi i trafikut. Ndërkohë, vendkalimet e shënuara për këmbësorë do të vazhdojnë të lejohen.
Vendimi është reagim ndaj një mocioni parlamentar të miratuar në vitin 2024, i cili kërkonte ruajtjen e hierarkisë së rrjetit rrugor. Këshilli Federal kishte theksuar më herët se nevojiten rregulla më të qarta, por kishte kundërshtuar një ndalim të plotë të kufizimit 30 km/h në akset kryesore për shkak të çështjeve të sigurisë rrugore.
Shoqatat që përfaqësojnë qytetet dhe komunat zvicerane e kanë cilësuar vendimin si një sukses të pjesshëm, pasi propozimet fillestare ishin më kufizuese. Megjithatë, ato kritikojnë detyrimin për ekspertizë si një barrë administrative shtesë.