Përshkallëzohen protestat në Francë, policia përdor gaz lotsjellës ndaj demonstruesve

Përshkallëzohen protestat në Francë, policia përdor gaz lotsjellës ndaj demonstruesve

Bota November 05, 2026 - 16:09

Situata në Francë është tensionuar gjatë protestave të zhvilluara në disa qytete të vendit. Në Lion, forcat e policisë së trazirave kanë ndërhyrë ndaj protestuesve duke përdorur gaz lotsjellës, ndërsa në Nantë janë raportuar përplasje mes demonstruesve dhe policisë.

Lëvizja protestuese është shtrirë në shkallë kombëtare. Sipas të dhënave, rreth 270 mijë persona kanë marrë pjesë në afro 200 tubime të organizuara gjatë javëve të fundit, pa përfshirë aktivitetet protestuese në Paris.

Organizimi i grevës është marrë përsipër nga L’intersyndicale, një strukturë që bashkon sindikatat kryesore franceze. Aksioni pritet të ndikojë në disa sektorë jetikë, si arsimi, shëndetësia, transporti publik dhe shërbimet e tjera, ndërsa një numër institucionesh parashikohet të pezullojnë aktivitetin.

Përveç punonjësve të administratës dhe sektorit publik, pjesë e mobilizimit pritet të bëhen edhe punonjës nga kompani të ndryshme private, duke zgjeruar më tej përmasat e grevës.

Ndërkohë, pakënaqësitë sociale dhe protestat kundër qeverive po marrin përmasa më të gjera edhe në vende të tjera evropiane.

Në Greqi, studentë dhe mësues kanë dalë në rrugët e Athinës për të kërkuar mbrojtjen e arsimit publik falas. Ata kanë ngritur gjithashtu shqetësime për shtrenjtimin e jetesës, veçanërisht për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe kostove të strehimit.

Në këtë klimë pakënaqësish, Franca është përfshirë nga një valë e re marshimesh dhe grevash, të cilat kanë nisur të enjten. /abcnews