Në Washington D.C., Ismaili diskuton me Bassanin për sektorin financiar

Në Washington D.C., Ismaili diskuton me Bassanin për sektorin financiar

Ekonomia April 17, 2026 - 09:27

Në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 në Washington DC, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga anëtarja joekzekutive e Bordit, Latifi Jashari, zëvendësguvernatori Fusha dhe bashkëpunëtorë të tjerë, zhvilloi një takim bilateral me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani.

“Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës, me fokus në modernizimin e sistemit të pagesave dhe integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e BQK-së, transmeton “Zëri”.

Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për avancimin e infrastrukturës së pagesave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke e cilësuar këtë si prioritet strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit.

U trajtuan gjithashtu zhvillimet lidhur me sistemin e pagesave të shpejta përmes zgjidhjes TIPS Clone të Bankës së Italisë dhe hapat për zgjerimin e shërbimeve shtesë. Po ashtu, u theksua rëndësia e zbatimit të financimit të projektit të sapo ratifikuar të sektorit financiar si dhe avancimi i kuadrit rregullativ për sigurimin e depozitave, me synim rritjen e mbulueshmërisë dhe forcimin e stabilitetit financiar.

Bassani rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës Botërore për të mbështetur BQK-në dhe reformat e ndërmarra, duke vlerësuar lart arritjet e deritanishme.

Në fund, u diskutua edhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Grupit të Bankës Botërore, me fokus në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së. /Zëri