AKK: Komunat po përballen me presion financiar, mbi 344 milionë euro të ekzekutuara dhe rrezik për 20 milionë të tjera
Komunat e Kosovës po përballen me një situatë të rënduar financiare, pas ekzekutimit të mbi 344 milionë eurove përmes vendimeve gjyqësore në periudhën 2022–2026, shumica e të cilave lidhen me kontratën kolektive.
Kështu thotë kryetari i Asocicacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ku njofton se vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.
Sipas AKK-së, situata mund të rëndohet edhe më tej me një barrë shtesë prej 15 deri në 20 milionë euro, që lidhet me moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025.
Kjo situatë, sipas komunave, po krijon presion të madh financiar në disa drejtime, përfshirë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, ndikimin në buxhetet komunale dhe investimet kapitale, si dhe detyrimet e reja që burojnë nga vendime kushtetuese të pazbatuara.
“Është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate. Politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror. Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, tha ai për Tëvë1.
Në këtë kontekst, AKK-ja kërkon ndërhyrje nga Qeveria e Kosovës për marrjen e përgjegjësisë financiare dhe zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që komunat të mos përballen me pasoja që nuk u atribuohen atyre.
“Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga ana e ministrit Hekuran Murati dhe Ministrisë së Financave, lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025”, tha Ibrahimi.