Marmullakaj: Kosova më mbrapa se vendet e rajonit sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes nga BE-ja
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Kosova mbetet shumë mbrapa sa i përket Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian në krahasim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Kosova mbetet shumë mbrapa në këtë proces ku ka negociuar Planin e Rritjes në vitin 2024 dhe e ka miratuar atë në qeveri, por sipas kritereve nuk ka arritur të njëjtin ta ratifikojë në Kuvendin e Kosovës dhe këtë e ka bërë vetëm në mars të 2026”, tha ai.
Po ashtu, Marmullakaj tha se Kosova mbetet në hapin fillestar - përafërsisht 1.5 vjet mbrapa vendeve të rajonit në zbatimin e këtij plani.
“Kosova mbetet vetëm në hapin fillestar, mbetet përafërsisht 1.5 vite mbrapa vendeve të tjera të rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes dhe disbursimit apo gjenerimit të mjeteve financiare që janë të dedikuara nga Bashkimi Evropian në këtë proces”, tha ai.
Zhvillimet e fundit përtej pasqyrimit që i kanë bërë, Marmullakaj tha se Kosova do të vazhdojë të mbetet në këtë gjendje.
Sipas tij, sa i përket hapjes së kapitujve për procesin e integrimit evropian, Shqipëria është më e avancuara.“Shqipëria është më e avancuara në rajon nga këto tri vende dhe nga fundi vitit 2025 ka arritur që t’i hapë të gjithë kapitujt për procesin e integrimeve dhe ka vendosur struktura institucionale të mirëfillta për trajtimin dhe koordinimin e brendshëm në kuadër të zbatimit të këtyre kapitujve”, tha ai.
Marmullakaj shtoi se Maqedonia e Veriut duke qenë një vend shumë i avancuar sa i përket kornizës ligjore dhe institucionale- më të avancuar pothuajse në rajon dhe është vend kandidat që nga viti 2025, ka mbetur mbrapa për arsye të ndryshme.
Për Kosovën, ai tha se edhe në këtë aspekt është vendi i fundit në të gjithë rajonin por edhe i fundit nga të tri vendet që janë pjesë e analizës.
Sipas hulumtuesit, Kosova mbetet ende në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si instrumenti i vetëm formal që e ka me Bashkimin Evropian dhe në të gjithë indikatorët përveç në disa aspekte të administratës publike.
“Në të gjithë indikatorët që janë pjesë e Grupkaiptujve 1, mbetet mbrapa në zbatimin e tyre nga vendet e rajonit”, potencoi Marmullakaj.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në partneritet me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe Qendrën për Gazetari Hulumtuese (SCOOP), me mbështetjen e Fondit të Ballkanit Perëndimor (ËBF), të enjten organizoi tryezë rajonale, ku u publikua përmbledhja “Pasqyrim rajonal: Ku qëndron rajoni në Grupkapitullin 1 të BE – Parimet Themelore?”. /BetimipërDrejtësi