MINTI rishikon udhëzimin për subvencionet dhe grantet
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për rishikimin e Udhëzimit Administrativ (MTI) Nr. 01/2018, që përcakton ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve.
Sipas njoftimit të MINTI-së, ministrja në detyrë Mimoza-Kusari-Lila ka thënë se synimi i këtij procesi është riformësimi i qasjes ndaj subvencioneve dhe granteve, me fokus në mobilizimin e kapitalit privat dhe nxitjen e investimeve me ndikim në ekonomi.
Në takim ka marrë pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili ka prezantuar përpjekjet për avancimin e kornizës ligjore dhe përmirësimin e menaxhimit të kësaj kategorie buxhetore përmes Ligjit të ri për Menaxhimin e Financave Publike.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për lidhjen e skemave të granteve me strategjitë e industrisë dhe tregtisë, thjeshtimin e aplikimit, përdorimin e kritereve objektive dhe inteligjencës artificiale në vlerësim, si dhe përfshirjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe bankave komerciale.
Në Grupin Punues bëjnë pjesë përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Financave, Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave të bizneseve.
Sipas MINTI-së, puna e Grupit Punues do të intensifikohet gjatë javëve në vijim, me synim finalizimin e draftit brenda muajit shtator.