“Fadil Vokrri” dhe problemi i fushës: Nga kritikat e huaja te “katastrofa” e Rangnick
Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej vitesh është një nga temat që rikthehet vazhdimisht në futbollin kosovar. Pavarësisht investimeve dhe ndërhyrjeve të shumta, terreni vazhdon të jetë objekt kritikash, sidomos nga skuadrat dhe trajnerët e huaj që luajnë në kryeqytet.
Rasti i fundit ishte ai i trajnerit të Austrisë, Ralf Rangnick, i cili para ndeshjes me Kosovën kritikoi hapur gjendjen e fushës.
“Është komplet ndryshe. Në Vjenë luajtëm në një terren të freskët, të sapo rinovuar. Në Prishtinë kam parë një terren jo shumë të mirëmbajtur. Është e pakuptimtë. Moti është i mirë dhe terreni duhej të ishte në nivel”, deklaroi Rangnick.
Por kritikat e gjermanit nuk përfunduan pas ndeshjes. Pas barazimit 1-1, Rangnick e ashpërsoi edhe më shumë qëndrimin, duke e cilësuar fushën si “një katastrofë” dhe duke thënë se një terren i tillë nuk i përshtatet një turneu të Ligës së Kombeve.
Nuk është hera e parë
Rangnick nuk është i pari trajner i huaj që ankohet për fushën e “Fadil Vokrrit”. Në gusht të vitit 2024, vetëm pak javë pas përfundimit të renovimit të plotë të terrenit, trajneri i Legia Varshavës, Gonçalo Feio, kritikoi gjendjen e saj pas ndeshjes me Dritën.
“Është e vështirë të lëvizësh topin. Nuk prisja që fusha të kishte kaq shumë ndikim në rrjedhën e ndeshjes”, deklaroi Feio, duke shtuar se ngarkesa mbi nyjet e lojtarëve ishte më e madhe për shkak të terrenit.
Edhe futbollisti çek Tomas Pekhart ishte edhe më i drejtpërdrejtë, duke e përshkruar fushën si shumë të keqe dhe duke thënë se dukej sikur po luanin mbi beton.
1.3 milionë euro për fushën e re
Ironia qëndron në faktin se fusha u rinovua plotësisht në vitin 2024 me një investim prej rreth 1.3 milionë eurosh. Projekti parashikonte vendosjen e një sistemi hibrid, drenazh të avancuar dhe sistem ngrohjeje, ndërsa u prezantua si një terren me teknologji moderne dhe standarde të larta ndërkombëtare.
Megjithatë, vetëm disa javë pas rikthimit të futbollit në stadium, nisën sërish ankesat për cilësinë e terrenit.
Problemi nuk është shfaqur vetëm pas këtij investimi. Edhe para renovimit të plotë, fusha ishte kritikuar vazhdimisht nga kundërshtarët e Kosovës dhe ekipet që kanë luajtur ndeshje ndërkombëtare në Prishtinë. Në fund të vitit 2023, stadiumi madje ishte mbyllur për shkak të gjendjes së rënduar të fushës.
Edhe trajneri i Kosovës e pranoi problemin
Kritikat e Rangnickut nuk janë kundërshtuar plotësisht as nga trajneri i Kosovës, Franco Foda.
“Fusha nuk ka qenë dhe nuk është në gjendje të mirë. Shumë ekipe kanë luajtur këtu gjatë verës. Por e dimë që kjo gjendje vlen për të dyja skuadrat dhe e kuptoj kritikën e Rangnickut”, tha Foda para ndeshjes.
Në anën tjetër, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, ishte më i rezervuar, duke theksuar se të dyja skuadrat luajnë në të njëjtin terren dhe se ekipe të tjera të njohura nuk janë ankuar.
Një problem që kërkon zgjidhje
“Fadil Vokrri” është stadiumi kryesor i Kosovës për ndeshjet ndërkombëtare dhe për vite me radhë ka qenë shtëpia e Kombëtares.
Por fakti që kritikat për fushën janë përsëritur edhe pas një investimi prej 1.3 milionë eurosh e rikthen në pikën zero pyetjen se ku qëndron problemi: te mirëmbajtja, ngarkesa e madhe e stadiumit apo mënyra e menaxhimit të terrenit?
Nëse një fushë e rinovuar me teknologji moderne vazhdon të jetë subjekt kritikash nga trajnerë të huaj, ndërsa edhe trajneri i Kosovës pranon se nuk është në gjendjen optimale, atëherë problemi nuk mund të injorohet më.
Rasti i Ralf Rangnickut mund të jetë vetëm një tjetër episod në një histori që në “Fadil Vokrri” po përsëritet prej vitesh. /Zëri