SHKSHMK-ja për rastin në Lybeniq: Operacioni për nxjerrjen e trupit u vështirësua nga mungesa e oksigjenit dhe prania e gazrave

SHKSHMK-ja për rastin në Lybeniq: Operacioni për nxjerrjen e trupit u vështirësua nga mungesa e oksigjenit dhe prania e gazrave

Kronika September 29, 2025 - 07:55

Një person ka humbur jetën pasditen e së dielës në fshatin Lybeniq të Pejës, pasi, derisa ishte duke pastruar një bunar, ka rënë në të.

Nxjerrja e trupit të pajetë ka zgjatur për disa orë.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, përmes një njoftimi, ka dhënë detaje rreth operacionit për nxjerrjen e trupit të viktimës

.

“U realizua me sukses operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë të viktimës nga pusi në Lybeniq të Pejës. Nxjerrja e trupit të viktimës u realizua përmes organizimit teknik të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës dhe të kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

SHKSHMK-ja ka njoftuar se kishte pranuar një thirrje nga Policia e Kosovës për një aksident në fshatin Lybeniq, komuna e Pejës.

“Skuadrat e SHKSHMK-së janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të filluar operacionin. Në vendngjarje ishin të pranishëm Policia e Kosovës, njësitet e zjarrfikësve dhe emergjencave. Një person kishte rënë në pus gjatë punës për pastrimin e tij. Për shkak të thellësisë, pranisë së gazrave dhe mungesës së oksigjenit, operacioni kërkoi koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha palëve kompetente për nxjerrjen e viktimës”, thuhet tutje në njoftim.

Nxjerrja e trupit të viktimës u realizua përmes organizimit teknik të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës dhe të kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.