Tre të lënduar nga një përleshje me mjete të mprehta në Istog
Foto: Laura Hasani

Tre të lënduar nga një përleshje me mjete të mprehta në Istog

Kronika May 21, 2026 - 17:31

Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje me mjete të mprehta që ka ndodhur të enjten pasdite afër stacionit të autobusëve në Istog.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se Policia është njoftuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Istog për trajtimin e tre personave të lënduar, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.

“Sot, rreth orës 14:40, në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Istog, afër stacionit të autobusëve, janë përleshur disa persona dhe janë përdorur mjete të mprehta. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Tre persona janë të lënduar, një më rëndë dhe dyshohet se është lënduar me mjet të mprehtë. Policia ka gjetur disa dëshmi”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Sipas tij, njëri nga të lënduarit ndodhet në gjendje kritike, ndërsa personi tjetër ka marrë trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën.

“Po, rasti është cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’. Në këtë rast janë dy viktima, një për fat të keq është me lëndime të rënda trupore në gjendje kritike. Ndërkaq, tjetri ka marrë tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka shtuar se prokurorja e rastit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa për shkak se në rast janë të përfshirë persona të mitur, autoritetet janë treguar të rezervuara në dhënien e detajeve shtesë. /tëvë1