Mbrojtja kërkon lirimin e Ekrem Bajroviqit nga akuza për krime lufte në Istog, i akuzuari thotë që s’kreu vepër penale

Mbrojtja kërkon lirimin e Ekrem Bajroviqit nga akuza për krime lufte në Istog, i akuzuari thotë që s’kreu vepër penale

Kronika May 21, 2026 - 16:56

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare nga mbrojtësi i të akuzuarit për krime lufte Ekrem Bajroviq, avokati Ljubomir Pantoviq, i cili kërkoi lirimin e të akuzuarit nga akuza, duke shtuar se aktakuza është ndryshuar në momentin e fundit nga Prokuroria Speciale.

Prokurori special Ilir Morina, të dëmtuarit dhe mbrojtësja e viktimave Llucia Shahini, kanë dhënë fjalën përfundimtare në seancën e 22 prillit 2026, të cilët kërkuan dënimin e të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajroviq, avokati Ljubomir Pantoviq, të enjten nisi fjalën përfundimtare duke thënë se Prokuroria ka zgjeruar aktakuzën me arsyetimin “korrigjim teknik”, por sipas tyre, ndryshimet janë të rëndësishme dhe thelbësore.

Përmes këtyre ndryshimeve, Pantoviq tha se të akuzuarit i janë paraqitur akuza të reja serioze me qëllim që t’i rëndohet pozita penalo-juridike.

Sipas avokatit Pantoviq, në aktakuzën e ndryshuar thuhet se i mbrojturi i tij ka udhëhequr aksione policore, ndërsa në aktakuzën fillestare kjo nuk thuhej askund. Tha se Bajroviq tij ishte polic i zakonshëm në rangun më të ulët.

Avokati shtoi se janë dëgjuar 22 dëshmitarë dhe asnjëri nga ta nuk ka thënë që i akuzuari Pantoviq i ka ndarë dhe rreshtuar viktimat.

Ai tha se është shtuar akuza e re ku thuhet se i akuzuari ka qenë aktiv në një pikë kontrolli, dhe theksoi se nuk është e mundur që një komandant i cili jep urdhra dhe udhëheq aksione policore, në të njëjtën kohë të bëjë roje.

Avokati Pantoviq tha se i mbrojturi i tij i kishte kuptuar këto akuza të reja dy vite e gjysmë pas ngritjes së aktakuzës, dhe se ato iu kanë komunikuar atij në fund të procedurës, pra në fjalën përfundimtare të Prokurorisë.

“Është e drejtë e të akuzuarit që të dijë të gjitha akuzat kundër tij dhe konstatoj se kjo e drejtë nuk i është mundësuar dhe i është shkelur nga prokurori special”, tha avokati Pantoviq.

Gjithashtu, ai shtoi se prova e dorëzuar nga zyra e UNMIK-ut e cila është e cilësuar si deklaratë në aktakuzë, nuk mund të konsiderohet si e tillë sepse në të shkruan raport dhe jo deklaratë, si dhe personat të cilët kanë dhënë atë deklaratë janë në cilësinë e informatorit.

Për fund, ai propozoi që Bajroviq të lirohet nga akuza për arsye se nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ka kryer këtë vepër penale.

Kurse, i akuzuari Bajroviq tha se mbështet në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se i vjen keq për secilën viktimë që ka pësuar dhe se e kupton dhimbjen e familjarëve të tyre. Tha se edhe vetë i ka humbur dy miqtë e tij në këtë ngjarje.

Ai tha se nuk e ka kryer këtë vepër penale dhe se gjatë gjithë procedurës ka treguar vetëm të vërtetën, duke shtuar se ishte vetëm një polic i thjeshtë.

Prokurori special Ilir Morina kërkoi fjalën, duke thënë që mbrojtja është duke bërë shtrembërim së të vërtetës, dhe se dokumentit të UNMIK-ut nuk i mungon asnjë element ligjor dhe si i tillë duhet të pranohet si provë.

Ai gjithashtu kritikoi mungesën e bashkëpunimit juridik me Malin e Zi në raste të krimeve të luftës, ku i akuzuari ka rezidencën e përhershme.

Në fund, trupi gjykues shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe caktoi shpalljen e aktgjykimit për një datë tjetër.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 19 korrik 2024 të akuzuarin Ekrem Bajroviq e ka dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1998-1999 në Komuën e Istogut dhe fshatrat përreth.

Ky vendim i Themelores, ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit më 21 maj 2025, me të cilën ishte refuzuar ankesa e mbrojtjes ndaj aktgjykimit të shkallës së parë. Mbrojtja kishte pretenduar se vendimi  Themelores ishte përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe se nuk përmban faktet vendimtare të çështjes penale. Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka vendosur si në aktgjykimin e ankimuar.

Po, rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, e cila përmes vendimit të përpiluar më 4 dhjetor 2025, ka miratuar kërkesën për mbrotjtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së Bajroviq, avokatëve Ljubomir Pantoviq dhe Milosh Deleviq.

Supremja ka arsyetuar se disa prej dëshmitarëve, në shqyrtim gjyqësor kishin deklaruar se për këtë çështje kanë dhënë deklartaë edhe në autoritetet e UNMIK-ut dhe EULEX-it, e të cilat nuk gjenden në shkresat e lëndës. Andaj ato duhet të sigurohen dhe të shqyrtohen me provat ekzistueses që gjenden në shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 15 shtator 2023, Ekrem Bajroviq po akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.

Bajroviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar. /BetimipërDrejtësi