Supremja lë në paraburgim të dyshuarin për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona në Veternik
Foto: Laura Hasani

Supremja lë në paraburgim të dyshuarin për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona në Veternik

Kronika May 15, 2026 - 15:08

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e të pandehurit M.M., i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi i mbetur në tentativë”, “Falsifikimi i dokumentit” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Gjykata Supreme përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka lënë në fuqi aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, me të cilat M.M. dhe Zh.J. vazhdojnë të mbeten në paraburgim deri më 25 maj 2026.

"Sipas aktvendimit të Gjykatës Supreme, ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kanë falsifikuar dokumente pronësore dhe kanë tentuar regjistrimin e tyre në Zyrën e Kadastrit të Komunës së Prishtinës për një parcelë me sipërfaqe 5976 metra katrorë në lagjen Veternik”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerësoi se vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe bashkë të pandehur, asgjësimit të provave, si dhe mundësisë së përsëritjes së veprave penale të ngjashme.

Po ashtu, Supremja konstatoi se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe se në këtë rast nuk ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale. /Zëri