Ndalohet zyrtari i Agjencisë së Pyjeve në Kamenicë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë zbatimit të planit operativ “Gatishmëria 2026” me aplikimin e masave të veçanta hetimore dhe vëzhgimit me pajisje – dron, nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka ndaluar të pandehurin S.H., për shkak të dyshimit se i njëjti në cilësi të zyrtarit të Agjencionit Pyjor të Kosovës ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke damkosur dhe lëshuar fletë përcjellje për masë drusore të sjella në mënyrë ilegale nga Republika e Serbisë, për në fshatin Shahiq, Komuna e Kamenicës.
Sipas njoftimit, thuhet se me këto veprime i pandehuri S.H., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga Neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Zeri.info.
“Pas pranimit të Kallëzimit penal, Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj të pandehurit ka filluar hetimet, si dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftim. /Zëri