Paraburgim ndaj katër të dyshuarve për rrëmbim, rrahje e vepra të tjera penale
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) të pandehurve A.H., H.A., A.G. dhe T.A., nën dyshimin për rrëmbim, rrahje e vepra të tjera penale.
Gjykata njofton se katër të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”, i pandehuri A.H., dyshohet edhe për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, kurse i pandehuri A.G., edhe për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe për “Posedimi të paautorizuar të narkotikëve substancave psikotrope ose analoge”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.H., H.A., A.G. dhe T.A., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës në këtë fazë të procedurës penale”, njofton Gjykata.
Në njoftim thuhet se Gjykata gjithashtu konsideron se nëse të pandehurit lihen në liri ekziston rreziku që do të përsërisin veprat penale, duke pasur parasysh se janë përsëritës të veprave penale, andaj masa e paraburgimit është masë adekuate duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi