Policia paralajmëron qytetarët për SMS dhe emaila mashtruese
Rritja e rasteve të mashtrimeve përmes mesazheve telefonike dhe postës elektronike po vazhdon të shqetësojë qytetarët në Kosovë.
Policia e Kosovës njofton se, bazuar në raportimet e fundit, është shtuar dukuria e SMS-ve mashtruese, të cilat paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë financiare të qytetarëve.
Sipas policisë, qytetarëve po u dërgohen mesazhe të ndryshme përmes telefonit mobil dhe adresave elektronike, ku mashtruesit tentojnë të marrin të dhëna personale apo bankare përmes linkeve dhe faqeve të rreme.
Përfaqësues të Policisë së Kosovës deklarojnë se institucionet e sigurisë kanë kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe teknike për ta luftuar këtë dukuri, e cila kohëve të fundit është në rritje.
Sipas tyre, hetimet po zhvillohen në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që qëndrojnë pas këtyre mashtrimeve.
Policia apelon tek të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve të dyshimta që pranojnë në telefon apo email, sidomos kur në to kërkohen të dhëna personale, numra bankarë apo pagesa të ndryshme.
Tutje, qytetarët ftohen që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në Policinë e Kosovës, në mënyrë që rastet të trajtohen nga njësitë kompetente dhe organet e drejtësisë.
Autoritetet rikujtojnë se kujdesi dhe raportimi i shpejtë mbeten mënyra më efektive për parandalimin e mashtrimeve kibernetike dhe mbrojtjen e sigurisë financiare të qytetarëve. /rtk