Parandalohet futja e kontrabandës në Burgun e Dubravës, zbulohet drogë në furgonin e kuzhinës
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është parandaluar një rast i tentim-futjes së kontrabandës në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 15:30, kur zyrtarët korrektues, bazuar në informacione të siguruara nga Njësia e Inteligjencës së SHKK-së, kanë kryer kontroll të detajuar të një furgoni të kuzhinës në tunelin hyrës të institucionit.
Gjatë kontrollit është zbuluar lëndë e dyshuar narkotike, e fshehur në pjesën e brendshme të llamarinës së derës së pasme të automjetit.
Pas zbulimit të rastit janë ndërmarrë veprimet procedurale, janë iniciuar hetime të brendshme dhe është njoftuar Policia e Kosovës, e cila po merret me hetimin e rastit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe në garantimin e sigurisë dhe rendit në institucionet korrektuese. /Zëri