Dogana zbulon mallra të padeklaruara në Merdar në vlerë mbi 16 mijë euro në
Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të mosdeklarimit dhe deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë një kontrolli doganor në pikën kufitare në Merdar.
Sipas njoftimit të Doganës bëhet e ditur se gjatë kontrollit të detajuar të një dërgese importi të përzgjedhur për verifikim nga njësitë kompetente doganore, janë evidentuar mallra të padeklaruara, si dhe mospërputhje ndërmjet mallrave të deklaruara në dokumentacionin doganor dhe gjendjes faktike të ngarkesës, raporton Zeri.info.
“Kontrolli fizik ka rezultuar me zbulimin e sasive të konsiderueshme të mallrave të ndryshme, përfshirë pajisje elektronike, pajisje elektrike, mjete pune dhe produkte të tjera që nuk ishin deklaruar fare në deklaratën doganore”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Po ashtu sipas njoftimit thuhet se janë konstatuar raste të deklarimit të pasaktë, ku përshkrimi i produkteve nuk përputhej me natyrën reale të mallrave të importuara.
“Vlerësimit zyrtar bën të ditur se vlera e përgjithshme e mallrave të padeklaruara dhe të deklaruara në mënyrë të pasaktë arrin në rreth 16,377.95 euro. Në mesin e tyre janë konstatuar maska për fytyrë, brushë elektrike, pajisje të ndryshme elektrike shtëpiake dhe vegla pune, në sasi të konsiderueshme”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Tutje bëhet e ditur se si rezultat i këtyre shkeljeve, shmangia e detyrimeve doganore dhe tatimore është vlerësuar në 4,880.62 euro. Lidhur me rastin, ndaj subjektit importues është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave.
“Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin në luftimin e deklarimeve të pasakta dhe mosdeklarimit të mallrave, me qëllim të mbrojtjes së tregut, sigurisë së konsumatorëve dhe garantimit të zbatimit të ligjit”, thuhet në njoftim. /Zëri