Një muaj paraburgim personit që dyshohet se theri me thikë dhe grabiti një të mitur në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit A.M., i dyshuar për veprën penale të “Grabitjes”, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, A.M. dyshohet se më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave në Gjakovë, në bashkëkryerje me dy të mitur, I.A. dhe A.A., ka grabitur një të mitur tjetër me inicialet E.B., i lindur në vitin 2009.
Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit, duke vepruar si grup i armatosur dhe me përdorim të forcës e kërcënimeve serioze, kanë synuar përfitim të kundërligjshëm pasuror. Sipas dyshimeve, A.M. e ka goditur disa herë viktimën me thikë në krahun e majtë, ndërsa më pas, së bashku me bashkëkryerësit, e ka sulmuar fizikisht dhe nën kërcënimin e thikës i ka marrë çantën e krahut, transmeton Zeri.info.
Nga çanta, sipas dosjes së rastit, është marrë një portofol me 115 euro.
Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në raportin mjekësor të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Pas shqyrtimit të kërkesës, gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 1 korrik 2026, duke u llogaritur nga data e arrestimit të të pandehurit më 2 qershor 2026.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Zëri