Shpallet fajtore gruaja që kishte sulmuar fizikisht dy gazetare në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore Mirvete Baraliun për veprat penale të “Sulmit” dhe “Kanosjes” në rastin e sulmit ndaj gazetareve, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha.
Sipas vendimit të Gjykatës, Baraliu është dënuar me 2 mijë euro gjobë për veprën penale të “Kanosjes”, ndërsa për veprën e “Sulmit” është dënuar me një vit burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda afatit prej dy vjetësh.
Rasti kishte ndodhur më 3 prill 2024 në Prishtinë, derisa gazetaret dhe kameramani Përparim Tufa po kryenin detyrat e tyre profesionale. Ekipi ishte përballur me sulm fizik dhe kërcënime gjatë dokumentimit të një incidenti në “Rrugën C”.
Në mesin e të dëmtuarve ishte edhe gazetarja Lindita Berisha, e cila në atë kohë ishte shtatzënë dhe pas ngjarjes kishte kërkuar trajtim mjekësor në QKUK.
Me vendimin e shpallur sot (4), qershor 2026, rasti ka marrë epilogun e parë gjyqësor, ndërsa gjykata e ka gjetur të akuzuarën përgjegjëse për sulm dhe kanosje ndaj gazetareve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Sulmin brutal ndaj dy gazetareve e kishte dënuar asokohe edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) , ku e cilësoi atë si kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.
Po ashtu AGK-ja u pati bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur. /Lajmi.net