U dërgua me helikopter në spital, kjo është gjendja shëndetësore e autorit të vrasjes së policit në Shqipëri

U dërgua me helikopter në spital, kjo është gjendja shëndetësore e autorit të vrasjes së policit në Shqipëri

Kronika June 04, 2026 - 11:20

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik mëngjesin e kësaj të enjteje, ku u ekzekutua një efektiv dhe një tjetër u plagos rëndë në Maliq.

A2 CNN mëson se efektivi që humbi jetën në vendngjarje, Enea Mekolli kishte marrë tre plumba, kurse polici i plagosur Edison Adri, ka marrë një plumb në nofull. Ai është transportuar drejt Tiranës me helikopter.

Ndërsa autori i ngjarjes, 43-vjeçari Violand Braçellari ka marrë katër plumba. Ai u dërgua me helikopter në spitalin e Korçës. Sipas burimeve të A2CNN, autori ndodhet në gjendje të rëndë.

Ish-ushtaraku 43-vjeçari Violand Braçellari, i cili jetonte vetëm me nënën e tij, fshihej në një stan në një pyll në Bodë të Lozhanit në Maliq.

Image

Dyshohet se ai fshihte edhe arsenal armësh në stan dhe qëndronte gjithmonë i armatosur. Autori në pyll bënte stërvitje dhe qitje dhe si ish-ushtarak kishte përgatitje të lartë ushtarake në përdorimin e armëve.

Ai kishte siguruar vendin me shumë qen, që asnjë njeri të mos afrohej pranë stanit dhe kur ka shkuar policia për ta arrestuar edhe më parë, ikte e fshihej në pyll në terren të vështirë, aty ku kishte krijuar edhe vende për t’u fshehur.

Image

Prej terrenit të vështirë ku fshihej ai i kishte shpëtuar disa herë RENEA-s, pasi për të shkuar të stani ku fshihej duhet të ecësh 40 minuta në këmbë.

Ai ishte një ish-ushtarak, i rrezikshëm për banorët e zonës dhe në kërkim nga policia e Vlorës për kultivim narkotikësh.