Ndalohet për 48 orë i dyshuari për plagosjen e mbrëmshme në Pejë
Një vrasje në tentativë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Mbreti Pirro” në Pejë, ku një person është plagosur me armë zjarri, shkruan Zeri.info.
Sipas Policisë së Kosovës, i plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërkaq i dyshuari fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas është vetëdorëzuar në Polici.
Siç bën të ditur Policia, gjendja e të plagosurit është stabile, përderisa i dyshuari në Polici ka dorëzuar edhe dy armë së bashku me dy karikatorë dhe 15 fishekë, me të cilën dyshohet se kishte kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa Policia thekson se paraprakisht në shtëpinë e tij është bërë bastisja e shtëpisë së personit të dyshuar, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: 73 fishekë të kalibrit 7.65 mm, 41 fishekë 9x19 dhe tre karikatorë, raporton tutje “Zëri”.
Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Stacioni Policor në Pejë, më datën 13.07.2026, në orën 22:36, është informuar se në rrugën “Mbreti Pirro”, në Pejë, kishte ndodhur një plagosje dhe një person është lënduar.
Njësitet policore i janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes, aty është hasur viktima i cili ishte i plagosur nga arma e zjarrit, i njëjti menjëherë është dërguar në spitalin rajonal në Pejë, e më pas në QKUK- Prishtinë për tretman mjekësor, dhe sipas mjekëve gjendja e tij është stabile.
I dyshuari për këtë rast është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente, drejtori rajonal dhe prokurori i shtetit.
Hetuesit e sektorit rajonal për hetime DRP-Pejë, kanë punuar intensivisht për kapjen e personit të dyshuar, gjithashtu me autorizim përkatës ligjor është bërë bastisja e shtëpisë së personit të dyshuar, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: 73- fishekë cal:7.65mm, 41 fishekë 9x19, dhe 3 karikatorë.
Sot me datën 14.07.2026 rreth orës 02:30, i dyshuari është vetëdorëzuar, i njëjti ka dorëzuar edhe 2 armë së bashku me 2 karikatorë dhe 15 fishekë, me të cilën dyshohet se kishte kryer veprën penale, i njëjti në prezencën e avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri