Prizrenasi që vdiq pasi ra nga kulmi ishte duke punuar në shtëpi private, te vëllai i tij
Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka dhënë sqarime lidhur me rastin tragjik që ndodhi në Prizren, ku një person humbi jetën pasi ra nga kulmi i një shtëpie.
Sipas njoftimit, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19:00, pas njoftimit nga Policia e Kosovës, inspektorët e IQP-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me zyrtarët policorë.
Nga të dhënat fillestare, IQP-ja bën të ditur se viktima nuk ka qenë punëtor. Aksidenti ka ndodhur në një shtëpi private, ku po kryheshin punime për renovimin e kulmit, ndërsa viktima ishte vëllai i pronarit të shtëpisë dhe nuk ishte i angazhuar në procesin e punës, transmeton Zeri.info.
Po ashtu, Inspektorati ka konstatuar se në këtë rast nuk ka ekzistuar marrëdhënie kontraktuale ndërmjet investitorit dhe punëkryesit, si dhe nuk ka pasur marrëdhënie pune sipas përcaktimeve ligjore.
Ky sqarim vjen pasi Policia e Kosovës kishte njoftuar fillimisht se ishte arrestuar një person në cilësinë e punëkryesit dhe se rasti po hetohej edhe nën dyshimin për heqje të pajisjeve mbrojtëse. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim. /Zëri